Printim 3D me porosi
Ke një ide, një pjesë të thyer ose një model dixhital. Ne e kthejmë në objekt të prekshëm — një copë ose njëqind.
Çfarë printojmë më shpesh
- Pjesë zëvendësuese — për pajisje shtëpiake, makineri, mobilje. Sill pjesën e thyer ose matjet.
- Prototipa — për ta parë dhe prekur idenë para se të investosh në prodhim.
- Ekspozitorë dhe mbajtëse — për dyqane, vitrina, panaire.
- Objekte promocionale — me logon dhe formën e biznesit tënd.
- Dekor dhe sinjalistikë — shkronja, forma, objekte artistike.
- Maketa arkitekture — me shkallë dhe detaje.
Dy teknologji, dy përdorime
FDM shkrin fill plastike shtresë pas shtrese. I fortë, ekonomik, i përshtatshëm për pjesë funksionale dhe objekte të mëdhenj. Sipërfaqja mban vija të imta shtresash.
Rrëshirë (SLA) ngurtëson rrëshirë të lëngshme me dritë. Detaj shumë i imët dhe sipërfaqe e lëmuar — ideal për figura, bizhuteri dhe pjesë të vogla precize. Më i brishtë se FDM.
Nuk e di cila të duhet? Përshkruaje objektin dhe si do ta përdorësh; zgjedhim ne.
Materialet
PLA në ngjyra dhe përfundime të ndryshme, PETG për qëndrueshmëri dhe rezistencë ndaj lagështisë, TPU fleksibël për pjesë që duhen përkulur, dhe rrëshira me detaj të lartë për punë të imta.
Çmimet
Çmimi varet nga madhësia, materiali dhe koha e printimit. Porosia minimale është 1.000 lekë për FDM dhe 1.500 lekë për rrëshirë. Për ta bërë konkrete:
- Pjesë e vogël zëvendësuese — nga 1.000 L
- Ekspozitor vitrine — rreth 1.800 L
- Maketë e vogël arkitekture — rreth 2.750 L
- Figurë rrëshire 10 cm — rreth 1.500 L
Për sasi, çmimi për copë bie ndjeshëm. Dërgo skedarin ose foton dhe merr çmimin e saktë brenda ditës.
Nuk ke model 3D?
Nuk ka problem — ky është rasti më i zakonshëm. E modelojmë ne nga matjet, nga një foto ose nga vetë objekti.
- Modelim i thjeshtë — 2.000 deri 4.000 L
- Modelim mesatar, me përshtatje funksionale — 5.000 deri 10.000 L
- Forma komplekse dhe figura — me ofertë
Nëse porosit edhe printimin, modelimi zbritet 20%.
Pyetje të shpeshta
Sa e fortë del pjesa? Për shumicën e përdorimeve të përditshme, mjaftueshëm. Për pjesë që mbajnë peshë ose nxehtësi, na thuaj kushtet dhe zgjedhim materialin e duhur.
Çfarë skedarësh pranoni? STL, STEP, OBJ, 3MF. Nëse ke diçka tjetër, dërgoje gjithsesi.
A dërgoni jashtë Fierit? Po, me postë kudo në Shqipëri.
Sa kohë duhet? Varet nga madhësia dhe radha e punës. Afatin e saktë e merr bashkë me çmimin, para se të nisim.